Aktori i njohur me origjinë shqiptare, Jim Belushi, i ftuar special në mbrëmjen e madhe gala “Dua më shumë Shqipërinë” ishte vizitori i pazakontë në njërin prej gjimnazeve të kryeqytetit.

I shoqëruar nga Princi Leka, Belushi zhvilloi një takim me nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët mbetën jo pak të surprizuar nga kjo vizitë.

Aktori i njohur takoi mjaft nxënës, të cilët nuk lanë pa shfrytëzuar rastin për një shtrëngim duarsh, për të bërë fotografi apo për të marrë autografe. Gjithashtu ai zhvilloi edhe një takim me stafin pedagogjik të shkollës.

Belushi ndodhet në Shqipëri, pasi do të marrë pjesë në spektaklin “Dua më shumë Shqipërinë” që do të zhvillohet në datën 11 Nëntor, organizuar nga regjisorja Vera Grabocka dhe do të transmetohet në Televizionin Kombëtar KLAN.

Ai vjen në këtë spektakël jo me aktrim, por me një performancë muzikore para publikut shqiptar në Pallatin e Kongreseve./tvklan.al