Andrew Bode alias Edvin Bode, i akuzuar si personi që për vrau Edmond Papën para dy vitesh në Tiranë, doli këtë të premte para gjykatës për t’u njohur më masën e sigurisë. Gjykata e Tiranës la të pandryshuar masën e vendosur në mungesë, atë të arrestit me burg. Sipas gazetarit Besar Bajraktaraj, 45-vjeçari Bode mohoi lidhjen me vrasjen e Edmond Papës. Gjatë seancës, ai deklaroi se në vijim do sjellë dëshmitarë për të provuar që nuk ka lidhje me vrasjen.

“Nuk kam lidhje me personat e të cilët me akuzojnë se kam miqësi. Gjatë kësaj kohe jam fshehur sepse nuk kam besim tek drejtuesit e policisë. Gjatë gjithë kohës kam qenë në Shqipëri, nuk jam larguar jashtë vendit”, mësohet të jetë shprehur ai në sallë të gjyqit.

Bode u arrestua para dy ditësh në qytetin e Memaliajt nga një operacion i zhvilluar nga forcat RENEA dhe policia e Gjirokastrës. Bashkë me të u arrestuan edhe Julian Kalemi, i cili kishte strehuar në banesë Boden, si dhe Adriatik Kalemi alias Andrea Kalemi, të cilit iu gjet në banesë një arsenal armësh.

Edmond Papa, biznesmen nga Fieri me banim në Sarandë, u ekzekutua në Selitë në Tiranë, më 16 dhjetor 2022. Për vrasjen e tij u arrestua Albano Velo, ndërsa Bode ishte shpallur në kërkim. Ky i fundit akuzohet se është edhe personi që ekzekutoi Papën.

Ngjarjet sipas hetuesve lidhen me konfliktet mes grupit të Edmond Papës dhe fisit Kalemi, të cilat nisën me vrasjen e Aleksandër Sadikajt në 11 qershor të vitit 2022. Sadikaj ishte nipi i familjes Kalemi. Në atë kohë familjarët e tij akuzonin Edmond Papën si autor, dhe dyshohet se organizuan planin për vrasjen e tij, që u finalizua në 16 dhjetor të dy viteve më parë.

Pas kësaj ngjarje u tentua të vritet dy herë në Greqi Andrea Kalemi, i cili mbeti i plagosur. Pas këtyre tentativave, në shenjë hakmarrje për vrasjen e Edmond Papës u tentua të vritet vëllai i tij, Zamir Kalemi. Në 13 janar të këtij viti, atij iu bë atentat në Selitë teksa po udhëtonte me një automjet tip “Smart”.

Ndërsa tentativa e fundit për të goditur Adriatik Kalemin ishte në 20 korrik, ku u be atentat ne lokalin që ai zotëron në Memaliaj. Aty u vra babai, Shyqyr Kalemi, kamerieri Gledio Muka dhe klienti Marsel Çela, si dhe u plagos xhaxhai i tij Artur Kalemi.

Shkak për sherrin mes dy fiseve, dyshohet se është bërë prishja e pazareve të drogës në shtetin grek./tvklan.al