Superliga mbylli javën e tretë këtë të diel, me dy ndeshje spektakolare.

Dinamo regjistroi fitoren e parë sezonale, pasi mposhti 2-1 Elbasanin, në një sfidë me fund dramatik.

Pas pjesës së parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, në të dytën, situata ishte ndryshe. Kryeqytetasit kaluan të parët në avantazh me një gol të Itodo në minutën e 66-të, por në të 73-ën, mbetën me 10 lojtarë, pasi Goudiaby, u ndëshkua me karton të kuq.

Elbasani përfitoi nga epërsia numerike dhe u hodh në sulm për golin e barazimit, të cilin e gjeti në minutën e 78-të, me Mustën.

Dinamovitët nuk u dorëzuan dhe në minutën e 90-të, shënuan golin e fitores. Dejvi Bregu, u tregua i saktë nga penalltia, për t’i dhënë avantazhin bluve.

Kjo është fitorja e parë për Dinamon, që mban vendin e tetë me 3 pikë, ndërsa Elbasani me një pikë më shumë, renditet u katërti.

Në ndeshjen tjetër, Tirana dhe Egnatian ndanë nga një pikë, pas barazimit 1-1 mes tyre në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

Pjesa e parë foli më shumë për rrogozhinasit, që kishin kontrollin e lojës dhe kaluan në avantazh. Në minutën e 16-të, Zejnullai zhbllokoi sfidën, duke shënuar për një asisti të Aleksit.

Tirana e nisi pjesën e dytë me marsh tjetër dhe barazoi shifrat në minutën e 49-të, me Jarmouni-n, që realizoi në zonë pas asistit të marrë nga Haxhiu.

Ky është barazimi i tretë radhazi për bardheblutë që mbajnë vendin e shtatë, ndërsa Egnatia mbetet në krye me 7 pikë. /tvklan.al