Gjykata e Tiranës konfirmoi masën e sigurisë dhënë në mungesë për Andrew Boden, i cili do të vijoj të qëndrojë në “Arrest në burg” pa afat si i dyshuar për vrasjen e shtetasit Edmond Papa në zonën e Selitës.

Në nisje të seancës 41-vjeçari shprehu pakënaqësi për prezencën e kamerave, teksa u mundua t’i fshihej atyre.

Përballë gjykatës mohoi të kishte lidhje me vrasjen e Dhjetorit 2022, duke thënë se ishte i pafajshëm, por i ishte fshehur drejtësisë pasi nuk besonte te policia dhe prokuroria.

Nga ana tjetër, institucioni i akuzës i tha gjyqtares së masës se hetimet kanë provuar implikimin e tij në këtë vrasje si personi që ka qëlluar me armë tip pistoletë ndaj Papës dhe është ndihmuar nga Albano Velo, i arrestuar në Janar 2023 dhe persona të tjerë ende të pa identifikuar.

Motiv të ngjarjes Prokuroria thotë se është bërë hakmarrja për vrasjen me shpërthim eksplozivi të Aleksandër Sadikajt në Qershor 2022.

Ndërkohë në Gjirokastër, Gjykata la në burg pa afat Andrea Kalemin, i cili u arrestua në të njëjtin operacion në Memaliaj pasi u gjet me armë zjarri dhe vlera të larta monetare në banesë.

Kalemit një person i njohur nga autoritetet, në 21 Korrik të këtij viti iu vra në atentat babai, Shyqyri Kalemi dhe dy të tjerë.

Në qeli do të rri edhe Julian Kalemi, i cili fshehu në banesë Andrew Boden.

Tv Klan