Një çantë me rreth 4kg eksploziv e vendosur në ambientet e jashtme të një lokali në Shëngjin të Lezhës vuri nën alarm paradite e sotme strukturat e policisë së qarkut dhe banorë të zonës. Përreth 3 orë zona përreth vendit ku u gjet eksplozivi dhe rruga Shëngjin-Lezhë u mbajt e bllokuar nga forcat e rendit.

Lënda plasëse u zbulua nga një punëtor i lokalit në pronësi të shtetasit Eduart Ceni. Duke dyshuar për një bombë të komanduar me celularë ekspertë të policisë urdhëruan çaktivizimin e të gjitha sinjaleve telefonike të zonës. Më herët punëtori i lokalit që gjeti lëndën plasëse njoftoi të kishte parë në çantë dhe një aparat celular.

Kanë qenë ekspertët e policisë të ardhur nga Tirana, që kanë bërë të mundur çaktivizimin e lëndës plasëse. Sipas ekspertëve shpërthimi i eksplozivit mund të ishte me pasoja katastrofike për zonën, pasi pak metra larg lokalit gjenden disa cisterna karburanti. Policia e Lezhës ka nisur hetimet për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje ndërkohë që vetë pronari i lokalit mësohet të ketë deklaruar se nuk ka pasur më parë konflikte me persona të tretë./tvklan.al

Gazetar: Gjergj Figuri