Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Aleatja e Partisë Socialiste në qeverisje PBDNJ ka kërkuar ndryshimin në qeveri dhe programin qeverisës. Qëndrimin e ka bërë publik kryetari i PBDNJ Vangjel Dule, i cili ka vlerësuar raportin e fundit të BE, si një dokument të plotë dhe objektiv për situatën e Shqipërisë.

Sipas zotit Dule, pas kritikave të ndërkombëtarëve, ka ardhur koha për ndryshime në sektorin strategjik të qeverisjes, të cilët kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me integrimin e Shqipërisë në strukturat europiane.

Vangjel Dule:- “Vetë raporti duhet të përbëjë boshtin e çdo programi qeveritar. Së dyti, janë disa linja të caktuara që mbajnë peshën kryesore të reformave të thella që duhet të bëhen në këtë vend, me qëllim konvergimin në këto sektorë, por dhe në gjithë realitetin politik shqiptar dhe këto nuk janë të tjera, veçse sektori i ekonomisë dhe financave, sektori i drejtësisë është edhe ai i politikës së jashtme”.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm Ilir Meta, i vënë në dijeni për deklarimin për deklarimin e kreut të PBDNJ Dule, ka qëndruar indiferent në lidhje me përmendjen e emrit të tij dhe ka saktësuar se ndryshimet në kabinet nuk janë kompetencë e zv/kryeministrit.

Ilir Meta:- “PBDNJ është e përfaqësuar në qeveri dhe ajo ka dhënë dhe besoj se do të vazhdojë të japi kontributin e vetë, në plotësimin e të gjitha atyre angazhimeve, që ka qeveria përsa i takon ecurisë së negociatave për MSA”./tvklan.al