Kolonia e futbollistëve të kombëtares shqiptare në Serie A sa vjen e shtohet. Marrëveshja mes Federatës sonë dhe asaj italiane duke i cilësuar lojtarët tanë si jo-ekstrakomunitar ka marrë edhe jetë.

Alen Sherri është transferimi i parë në elitën e futbollit përtej Adriatikut. Portieri kuqezi ka firmosur me Kaljarin që ka bërë edhe zyrtarizimin e akordit. Rreth 500 mijë Euro ka kushtuar blerja e 26-vjeçarit që ka realizuar kështu hapin e madh në karrierë.

Sherri i cili largohet nga Egnatia për të nënshkruar te klubi kuqeblu ka firmosur me Kaljarin deri në qershor 2027. Performanca e mirë në radhët e kampionëve të Shqipërisë ka bindur klubin italian që shpenzon jo pak për të forcuar repartin e portës.

Shkodrani ka qenë pikë stabël për kombëtaren U-21, ndërsa debutoi edhe tek ekipi A i Shqipërisë në nëntor të vitit 2022. Sherri është një portier i mirë mes shtyllave, i guximshëm në ajër, i zoti edhe në këmbë, cilësi që di ta mbështesë në fazën e vendosjes.

Eksperienca në Sardenja do të jetë e radhës për Sherrin që në të shkuarën ka luajtur për Vllazninë, Laçin e për dy sezone me Egnatian, ku kontribuoi në fitimin e titullit kampion dhe Kupës së Shqipërisë.

Klan News