Shqipëria nuk do të jetë më vendi ku do të mund të strehohen kriminelet. Kështu ka deklaruar Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, gjatë një takimi me homologun e tij Italian Angelino Alfano. Biseda mes dy ministrave është përqendruar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e drejtësisë e veçanërisht në transferimin sa më të shpejtë të dënuarve shqiptare që vuajnë dënimin në Itali dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim nga shteti Italian.

Enkelejd Alibeaj: “Shqipëria në marrëdhënien me republikën e Italisë, ka marrëdhëniet më të mira ndërgjyqësore, jo vetëm në shkëmbimet politike por dhe në shkëmbimet juridike që do të thotë jemi në fazën e marrjes së produkteve të para konkrete në rastet e transferimit të të dënuarve shqiptarë në Itali dhe në rastin e ekzekutimit të vendimeve penale italiane të dhëna nga gjykatat italiane për shtetas shqiptarë”.

Angelino Alfano: “Gjatë takimit kemi biseduar për bashkëpunim dypalësh në fushën e drejtësisë si dhe po shikojmë mundësinë për transferimin e të dënuarve. Në këtë mënyrë nëse një person kryen një krim, ai do ta vuaj dënimin në vendin e tij”.

Intensifikimi i marrëdhënieve dy paleshe në fushën e drejtësisë si dhe lufta kundër krimit të organizuar që vepron në të dy anët e kufirit kanë qenë në qendër të bisedimeve të ministrit Alibeaj dhe homologut të tij Italian Alfano./tvklan.al

Gazetari: Eno Luarasi

Montazh: Ergis Hasanbelli