Betimi i Presidentes se re te Maqedonisë së Veriut, Gordana Davkovës në Parlament u shoqërua me një incident diplomatik.

Ambasadorja greke, Sofia Filipidu e ftuar në këtë ceremoni, u detyrua të bojkotonte seancën, pasi Presidentja në fjalën e saj asnjëherë nuk e përmendi emrin kushtetues të shtetit sipas marrëveshjes së Prespës, Maqedoni e Veriut, por vetëm Maqedoni.

Në fjalën e saj në Parlament,  Davkova i mëshoi faktit të rolit të gruas në politikë, ndërsa nuk foli për proceset e integrimit dhe ndryshimet kushtetuese.  Ajo tha se do të punojë për evropianizimin e vendit së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit.

“Deklaroj se postin e Presidentit të Maqedonisë do ta kryej me ndërgjegje dhe përgjegjësi, do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet, do ta mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë”.

Davkova është e para grua si Presidente e Maqedonisë se Veriut. Ajo njihet për qendrimet e saj të ashpra, duke u deklaruar kundër ligjeve për krijimin e komunave shqiptare dhe të përdorimit të shqipes si gjuhë e dytë zyrtare.

Tv Klan