Në Gjykatën e Posaçme të Apelit po zhvillohet seanca gjyqësore për ish-kryebashkiakun e Himarës Fredi Beleri. Togat e zeza do shqyrtojnë kërkesën e tij për ndryshim të masës së sigurisë të caktuar nga Shkalla e Parë.

Trupa gjykuese përbëhet nga Danjela Shirka kryesuese, Ilirjana Olldashi dhe Dhimitër Lara anëtarë. Në sallë kanë mbërritur dhe avokatët e caktuar kryesisht nga gjykata. Po ashtu siç bën me dije gazetarja Glidona Daci, prezentë janë ambasadorja greke Kostandina Kamici, Vangjel Dule e mbështetës të Belerit.

Kërkohet përjashtimi i gjyqtares Danjela Shirka: Është e njëanshme!

Avokatja e Belerit, Klodiana Gjyzari ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Danjela Shirka dhe pavlefshmërinë e vendimeve të saj. Sipas avokates, Shirka është caktuar me short dhe është e njëanshme në gjykimin e saj.

Pjesë nga seanca:

Avokatja e Belerit, Klodiana Gjyzari: Ju nuk jeni caktuar me short për shtyrtimin e kësaj çështje. Ju gjyqtare jeni caktuar manualisht, po ashtu ju keni gjykuar edhe dy kërkesa të tjera të Belerit. Ne kërkojmë revokim të çdo vendimi që keni marrë në këtë gjykim.

Gjyqtarja Danjela Shirka: Në trasparencë të publikur shorti është zhvilluar në datë 9 Maj 2024, vendimet e mëparshme sipas udhëzimeve të bëra nga KLGJ duke qenë se unë kam shqyrtuar çështje të tjera të zotit Beleri.

Avokatja Klodiana Gjyzari: Unë kërkoj përjashtimin tuaj sepse në asnjë çështje nuk jeni caktuar me short, por u është kaluar manualisht. Gjyqtari që gjykon çështjet e veçanta është ai që gjykon themelin. Nisur nga të gjitha, ne do të kërkojmë përjashtimin tuaj. Na krijohet dyshimi që ju nuk jeni e paanshme dhe ne do të paraqesim kërkesën me shkrim për përjashtimin tuaj. Për të bërë këtë kërkesë kam 3 ditë kohë. Fredi Beleri është dakort, po ashtu edhe mbrojtja e Pandeli Kokaveshit.

Prokurori Adnan Xholi: Ne kërkojmë të vazhdojmë seancën deri sa të shprehet një tjetër trupë gjykuese e Apelit. Kjo kërkesë s’mund të ndërpresë seancën.

Avokatja Klodiana Gjyzari: Ne kërkojmë pavlefshëmrinë e vendimeve tuaja, janë të pavlefshme aktet për thirrjen e të pandehurit. Beleri nuk ka pasur njoftim për seancën e datës 27 maj, kërkojmë që ju të mos pezulloni aktet për pezullimin e afateve të paraburgimit.

Kujtojmë se Beleri është dënuar me 2 vite e 6 muaj burg për vjedhje votash. Ai qëndron në qeli që prej 12 Majit 2023, dy ditë para zgjedhjeve lokale në vend. Sipas SPAK, arrestimi i tij erdhi pas një denoncimi në Prokurori ku pretendohej se Beleri ofronte 40 mijë Lekë për të blerë 8 vota.

Para pak ditësh ai u zgjodh eurodeputet në Greqi. (Lexo më shumë)

E.D/tvklan.al