Pas hedhjes së të dhënave në regjistrin elektronik kombëtar të shtetasve të gjitha zyrat e gjendjes civile në vend do të lidhen përmes një network-u.

Drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, ka sqaruar në një intervistë për TV Klan, se ky proces i cili është drejt përfundimit do të krijojë për herë të parë një bazë unike të dhënash në shkallë kombëtare.

Armand Teliti: “Jemi në fazën kur do të fillojmë të punojmë online pasi kemi siguruar gjithashtu dhe rrjedhjen e komunikimit për të gjitha zyrat e Tiranës. Ne do të kemi në harkun kohor të 4 ose 5 muajve, maksimumi, do të kemi një, do të kemi të siguruar një sistem të plotë, funksional.”

Teliti tha më tej se sistemi i ri i të dhënave elektronike do të shmangë një herë e mirë të gjitha dublimet që ishin kthyer në një problem serioz për listat e zgjedhësve.

Armand Teliti: “Krijimi i një baze unike të dhënash zgjidh një problem, zgjidh përfundimisht një problem shumë të madh që kanë patur të dhënat në Shqipëri, dublimet e tyre, që është bërë prezent shpeshherë në, gjatë momenteve zgjedhore. Duke qenë se teknologjia që përdoret është një teknologji e nivelit të lartë regjistri është një regjistër i vetëm unik. Ne do të kemi mundësinë që të kemi një bazë të dhënash të pastruar nga dublimet në fund të këtij procesi, gjë që do të realizohej më në fund dhe listat e zgjedhësve të pastra”.

Puna për hedhjen e të dhënave në regjistrin elektronik filloi në Nëntor të vitit të kaluar në kryeqytet ku tashmë ky proces ka përfunduar, por pavarësisht nga kjo në zyrat e Gjendjeve Civile në Tiranë po punohet ende me regjistrat e vjetër./tvklan.al