Të dhënat personale të të gjithë shtetasve shqiptarë janë hedhur tashmë në regjistrin elektronik.

Drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, bëri të ditur se procesi i hartimit të këtij regjistri ka përfunduar në tërësi, por faza përfundimtare do të jetë ajo e eliminimit të dublikimeve, që sipas tij do të mbyllet brenda këtij muaji.

Armand Teliti: “Me ngritjen e këtij sistemi gjithashtu do të bëhet përcaktimi i numrit të identitetit për çdo shtetas, i cili do të jetë i vetëm për gjatë gjithë jetës. Informatizimi i shërbimit të gjendjes civile në të gjitha nivelet do të krijojë një sistem të përditësuar dhe funksional si dhe bazën për ngritjen e sistemit të adresave. Hapi i parë i këtij procesi konsiston në hedhjen e të dhënave në regjistrat themeltarë, të cilët janë të shpërndarë në çdo zyrë të Gjendjes Civile, libra të shkruar me dorë në formatin elektronik. Ky proces ka filluar në datën 5 Nëntor të vitit 2007. Hapi i dytë për realizimin e këtij procesi është ndërtimi i software-it të përditësimit që do të përdoret për çdo zyrë të Gjendjes Civile. Në fund të Tetorit të vitit 2008 shqiptarët do të kenë një sistem të sigurt dhe funksional që do të shërbejë për rritjen në nivele shumë të larta të shërbimit të gjendjes civile, por dhe një bazë shumë të shëndoshë për një sërë shërbimesh të tjera që burojnë prej tij.”

Krahas lehtësirave që do të krijojë për qytetarët nga ky regjistër do të dalin dhe lista të reja zgjedhore.

Procesi i regjistrimit elektronik të popullsisë do të monitorohet edhe për dy vitet e ardhshme nga pala austriake me të cilën qeveria shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje në Qershor të këtij viti./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani