Partia Demokratike mblodhi pasditen e kësaj të premteje Këshillin Kombëtar. Në fjalën e tij, kryedemokrati Sali Berisha tha se ky është shtatori i fundit që e gjen këtë forcë politike në opozitë dhe theksoi se në 2025-n, Partia Demokratike do jetë në pushtet.

“Ky është shtatori i fundit që na gjen në opozitë. PD në vitin 2025 merr pushtetin. Rotacioni nuk mund dhe nuk do të vonojë më. Rotacioni është në duart tona, në guximin, sakrificën tonë dhe nuk ka asnjë opsion tjetër. I them këto, sepse kemi hyrë në muajin e 9-të përpara betejës finale elektorale. Në 9 muaj ne kemi përballjen finale kundër së keqes që në 11 vite asgjësoi procesin e vërtetë elektoral, plaçkiti, poshtëroi dhe dëboi masivisht shqiptarët. I them këto se çdo demokrat dhe demokrate nga sot e tutje, kur të kërkojë votën e PD, demokratëve duhet t’i shihet në sy bindja për fitore. Demokratëve duhet t’i dëgjohet në zë bindja për fitore. Demokratëve duhet t’u lexohet në shpirt, bindja për fitore. Demokratëve duhet t’u lexohet në trup, bindja për fitore”, tha Berisha.

“Këto vite PD e plagosën jo pak, kjo nuk mohohet. E vërteta është se këto vite me sulmin që na u bë, ne kemi luftuar më shumë në mbrojtje se sa në sulm. Duhet të mbronim flamurin tonë, programin tonë, pluralizmin politik që po jepte shpirt në Shqipëri, duhet të mbronim opozitën shqiptare. Por sot kjo betejë ka mbaruar, realiteti është krejt i ri, kushtet kanë ndryshuar. Sot ne jemi të bashkuar. Sot ne jemi PD e Shqipërisë më e fortë se kurrë!”, shtoi ai./tvklan.al