Arrestohet dëshmitari kryesor i superprocesit të 14 Shtatorit. Në seancën e sotme të gjyqit ish Ministri i Rendit Publik Perikli Teta, u paraqit sot si dëshmitar i akuzës. Teta nuk pranoi të deëhmonte përpara një trupi gjykues i cili nuk ishte veshur me togën e zezë të gjyqtarit.

Pas shumë debatesh Prokuroria kërkoi në bazë të ligjit 251 arrestimin e dëshmitarit. Sipas prokurorëve të cilët nuk pranuan të prononcohen ky vendim është i bazuar në ligj por për palën mbrojtëse duket se nuk është i drejtë e cila shpjegon:

Arben Ristani: Nga ana ligjore vihet re një mungesë kompetence nga Prokurorët, të cilët duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin, urdhëruan arrestimin e dëshmitarit. Unë po e citoj ligjin është neni 251 ku vepra konkrete, pra refuzimi për të dëshmuar, parashikon gjobë ose heqje lirie deri në 1 vit. Në kushte të tilla urdhërimi i arrestit në flagrancë, siç e komunikoi prokurori në seancë është totalisht i kundërligjshëm.

Që nga momenti i arrestimit në sallën e gjyqit ish Ministri i Rendit Publik ka qëndruar për rreth 6 orë në një nga sallat e Gjykatës së Tiranës në pritje të zbatimit të vendimit të arrestit. Më pas ai është shoqëruar nga Policia në Burgun 313 në Tiranë./tvklan.al