Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kanë ardhur nga Athina pas gati 7 vjetësh për të çelur ekspozitën e tyre të parë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ergys dhe Kleves Krisiko, vëlla e motër kanë ekspozuar dje pasdite në Galerinë e arteve punimet e tyre, Kleves ne pikturë dhe Ergysi në instalacion.

Ata janë nga të paktët artistë të rinj shqiptarë që njihen si të tillë edhe ne vendin fqinj. Ergysi është diplomuar në Akademinë e Arteve në Athinë dhe prej disa vitesh ai njihet dhe si skenograf në disa shfaqje teatrore atje.

Ergys Krisiko: “Është kënaqësi shumë e madhe, do kisha shumë dëshirë, gjithmonë e kam pasur ëndërr dhe dëshirë të tregoja përpjekjen time, shprehjen time për publikun shqiptar. Aq më shumë duke kujtuar gjithë ato kujtime te jetës sime këtu, duke takuar ca persona që më mësonin, që më korrigjonin, kjo është e gjitha, dmth. nostalgjia si të thuash”.

Ergysi preferon instilacionin, ndërsa e motra Kleves, ruan pikturën si artin më të dashur. Karakteristikë e pikturave të saj është puna mbi plastikë, përdorimi i ngjyrave dhe vizatimi, duke sjellë kështu një pikturë dydimensionale.

Kleves Krisiko: “Duke qenë se vazhduam shkollën dhe mbaruam aty, ishte një ogur i mirë përsa i përket vazhdimit tonë në jetën profesionale si piktorë”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj