Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Përçahet aleanca midis Partisë Republikane dhe Partisë Demokratike. Kryetari i PR Fatmir Mediu, akuzon PD për shkelje të marrëveshjes elektorale. Sipas Mediut, demokratët nuk kanë zbatuar pikat e nënshkruara për ndarjen e posteve në 42 njësi vendore, ku u takonte vendi i nënkryetarit të bashkisë apo komunës.

Fatmir Mediu:- “Marrëveshja për bashkëqeverisjen lokale, sipas marrëveshjes së përbashkët është injoruar thuajse krejtësisht nga PD, në kohën që flasim. E cila tregon qartë se disa njerëz jo vetën nuk ndajnë pushtet, por i qepen atij me thonj, pse jo edhe me interesa të caktuara. A ishin ata kandidatë që fituan në luftë të madhe me një pushtet të inkriminuar, njerëz më pak të vlefshëm se ndonjë kandidatë, i cili në analiza, nxjerrë vetëm tradhtar brenda grupimit të tij politik, që dhe njerëzit më të devotshëm të opozitës i konsideron si të pavlerë dhe thashethemexhinjtë e kameleonët, apo servilët i mbanë si pjesa më e vlefshme e saj. A kemi përgjegjësi që atyre kryetarëve të bashkive dhe komunave që fituam t’u ofrojmë mbështetjen tonë maksimale, apo do të rendim që edhe kryetar bashkie të fituar nga PR ta kthejmë në anëtarë të PD, se po humbasim interesin e disa njerëzve të cilët janë gati t’i nxjerrin gurin e themelit edhe bashkisë”.

Ashpër ka folur edhe kryetari i Asamblesë Republikane Sabri Godo. Veç situatës me PD, Godo komentoi çështjen e pronave, i cili dënon ndërhyrjen e kryetarit të OSBE-së Osmo Lipponen.

Sabri Godo:- “Unë nuk e kam këtë respekt për OSBE-në, pasi ky ambasador le të themi më mirë, fut hundët në punët që s’i takojnë. I vjen këtu dhe bën një ligj në emër të shqiptarëve pa e njohur Shqipërinë, pa e njohur realitetin shqiptar. Pa pasur asnjë të dhënë, sa janë pronarët, që kanë marrë tokat dhe s’kemi punë me ta, sa janë pronarët që mund të kompensohen fizikisht, sa janë pronarët që mbeten për t’u kompensuar dhe sa është ky kompensim? Ambasadori Lipponen nuk është në gjendje t’u përgjigjet këtyre pyetjeve dhe ka bërë një ligj akademik në zyrat me disa ekspertë të tij. Në qoftë se ka një farë nderi parlamenti shqiptar, duhet ta hedh me vendosmëri poshtë këtë ligj dhe s’kemi pse të kemi frikë se është OSBE dhe dale se mos na qethin kokën”./tvklan.al