Detyrim ndërkombëtar dhe ligjor e konsideron shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai ka thënë se BE-ja ka propozuar draftin për asociacionin, për të cilin tha se Kryeministri Albin Kurti ishte i gatshëm që ta nënshkruante dhe ta pranonte në Tetor të vitit të kaluar.

Szunyog ka theksuar se ky draft respekton vijat e kuqe të të dyja palëve dhe se drafti duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne kemi propozuar si Bashkimi Evropian, kemi propozuar një draft. Kuptimi im është se Kryeministri Kurti në fakt ishte i gatshëm ta pranonte këtë draft dhe ta nënshkruante Tetorin e kaluar. Pra, nga ky këndvështrim, ne besojmë se ky është një draft i mirë, duke respektuar vijat e kuqe të të dyja palëve. Dhe ne besojmë se duhet marrë dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese në atë mënyrë që të jetë e pranueshme dhe Gjykata Kushtetuese mund të vendosë për këtë”.

Sipas tij, tre krerët e shtetit kanë premtuar themelimin e asociacionit  dhe sa më shpejt të bëhet kjo, sipas tij, aq më mirë do të jetë për përparimin e Kosovës në rrugën evropiane.

“Por përsëri, ky është vetëm hapi i parë në procesin e themelimit të asociacionit. Dhe përsëri, mirëkuptimi im është gjithashtu se në këtë letër të përbashkët të nënshkruar nga Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit, dërguar Këshillit të Evropës Majin e kaluar, tre liderët kushtetues të Kosovës në fakt premtuan themelimin e asociacionit. Kështu që unë mendoj se kjo është diçka që duhet bërë. Sa më shpejt të bëhet kjo, aq më mirë për përparimin e Kosovës në rrugën për t’u bërë anëtare e BE-së”.

Faktori ndërkombëtar vazhdimisht po insiston në themelimin e asociacionit por pala kosovare po kërkon garanci për zbatimin e të gjitha marrëveshje nga pala serbe.

Në vizitën e fundit në Bruksel, Kryeministri refuzoi të takohej me Presidentin serb pa u plotësuar tri kushtet e tij, ndër to formalizimi i marrëveshjeve bazike e për të cilat Vuçiç po heziton të nënshkruajë.

Tv Klan