Më 12 qershor 2022, “Shihemi në Gjyq” solli konfliktin dhe dhimbjen e Denisës dhe  nënës së saj, Valentinës. Denisa ndodhej në një gjendje të vështirë pas humbjes së të shoqit, djalit të sëmurë dhe vajzës, nuk kishte një shtëpi dhe kërkonte të strehohej në shtëpinë e nënës.

Ka qenë një prej seancave më prekëse të transmetuara e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, por më në fund, pas 2 vjetësh është gjetur zgjidhja. Nënë e bijë janë rikthyer pikërisht në studion nga ku nisi gjithçka, të dyja të emocionuara e mes lotësh për të shprehur falënderimet ndaj të gjithëve që i kanë ndihmuar.

Ardit Gjebrea: Po pse po qan, ta dimë pse po qan?

Denisa: Është një emocion i madh që pas 2 viteve unë kthehem sërish në Tv Klan. Falënderoj znj. Eni që për mua ka qenë nënë, shoqe, motër, orë e pa orë unë Enin edhe e kam shqetësuar sepse kam pasur ulje-ngritje të emocioneve të mia, me Meklinin të paqejfshëm, me Livian me  problemet e saj. Eni ka qenë suporti im deri në këto momente. Eni, faleminderit dhe më fal për shqetësimet që unë të kam krijaur deri tani.

Eni Çobani: E kam bërë me shumë dashuri. Vetë koha që ti sapo the, që në ’22-in, ne nuk jemi ndarë asnjë ditë nga tjetra, pra në çdo formë komunikimi ne jemi bashkë, komunikojmë me njëra-tjetrën, flasim, ndajmë problematika, ka pasur raste që Denisa nuk ka qenë mirë edhe nga ana emocionale, jam munduar që t’i jap suportin tim, por vetë tregon koha. Jemi sot në 2024 dhe ne jemi sërish bashkë sepse unë kështu kam vendosur me të tërë ata që më kanë  dhënë mundësinë që të jemi së bashku përpara jush për këto ndërmjetësime që do të jemi miq të përjetshëm, kështu që unë i kam miq të tërë ata të cilët ju ndoshta nuk i shihni, por në zyrën time janë gjithmonë të mirëpritur.

Valentina: Dhe është mëse e vërtetë…

Eni Çobani: Vali e dashur, ti je nëna, ti je heroina, nuk diskutohet!

Valentina: Ju falënderoj që hapët derën për vajzën time për të zgjidhur të gjitha problemet që ka. Si nënë, si motër, si shqiptare, unë e paskam me të vërtetë fjalën “shqiptar” nder sepse paskan ndihmuar fëmijët e vajzës sime, kanë ndihmuar atë engjëll të vogël që sot është bërë operim, që për ndokënd ishte një operacion i lehtë, por 6 orë operim nuk ishte e lehtë. Falënderoj atë doktor të mrekullueshëm, Ernesto Hoffman.

Eni Çobani: Unë duhet t’ju them një “faleminderit” se gjithçka filloi në “Shihemi në Gjyq”, pra askush nga këta nuk do të ishte aty ku janë jo se nuk donin, por ne duhet të flasim, duhet të dimë ku ta kërkojmë të drejtën tonë dhe unë jam e lumtur që ju hapa një derë në këtë televizion të madh, me këtë zotëri të jashtëzakonshëm dhe ju dhamë një mundësi që ata njerëz të mirë t’ju shikojnë dhe t’ju ndihmojnë, kështu që një “faleminderit” të jashtëzakonshme edhe nga ana ime./tvklan.al