Austria do të ndihmojë Ministrinë tonë të Brendshme për modernizimin e regjistrit kombëtar të Gjendjes Civile.

E gjithë baza e tij do të hidhet online në bazë të një marrëveshjeje mes dy vendeve. Zv/Ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me homologun e vet austriak, Elmot Kruger, tha se ky sistem është më i sigurti dhe ndër më të mirët në Evropë si dhe një garanci më e madhe për hartimin e listave zgjedhore në mënyrë korrekte.

Ferdinand Pone: “Konkretizojmë me marrëveshjen e sotme fillimin e implementimit të një regjistri modern, të integruar dhe online të Gjendjes Civile. Do të jetë baza jo vetëm për një identifikim të qartë të sigurt të shtetasve të Republikës së Shqipërisë, por që do t’u vijë në ndihmë institucioneve shqiptare në konsolidimin e tyre demokratik apo dhe në rritjen e efektivitetit të administratës publike dhe të shërbimeve për qytetarët.”

Edhe përfaqësuesi austriak u shpreh se ky regjistër elektronik është një bazë shumë e rëndësishme për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Nga ana tjetër procesi i implementimit të regjistrit elektronik të Gjendjes Civile do të ecë paralelisht edhe me përgatitjen e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, element thelbësor në lehtësimin e lëvizjes së shtetasve shqiptar në shtetet e Bashkimit Evropian.

Zbatimi i sistemit kompjuterik austriak për regjistrin e Gjendjes Civile ka një vlerë financimi prej 1.3 milion euro./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro