Lajme Arkiva 2003

Me një audiencë të painteresuar në prani të shumë pak deputetëve, avokati i popullit Ermir Dobjani ka paraqitur në parlament situatën e të drejtave dhe lirive të njeriut në Shqipëri për vitin e kaluar.

I kushtëzuar nga koha prej 60 minutash lënë në dispozicion nga Kuvendi i Shqipërisë për një raport prej 85 faqesh zoti Dobjani ka bërë një vlerësim sipërfaqësor të respektimit të të drejtave të njeriut dhe ka kaluar pa lexuar pjesët më kritike të raportit.

Edhe pse të radha kritikat janë të forta dhe në raport konstatohet se mjaft të drejta dhe liri të tilla themelore, shkelen ose nuk realizohen në Shqipëri. Fenomen negativ avokati i popullit ka veçuar korrupsionin ku sipas raportit ai vlerësohet si një përpjekje për tu kthyer në normë të shoqërisë shqiptare.

Rreziku i madh që paraqet kjo qëndron në faktin e krijimit te populli i opinionit shkatërrues për organet shtetërore se problemet dhe hallet e qytetarit zgjidhen vetëm në rrugën e ryshfetit, citohet në raport.

Duke vijuar më tej avokati i popullit thotë se  këtë opinion e përqafojnë edhe zyrtarë të veçantë, por nuk identifikon me emër asnjë prej tyre. Disa shkelje të tjera të të drejtave të njeriut në raport konstatohen edhe te trajtimi i fëmijëve, të cilët thuhet se trajtohen si skllevër për të lypur apo për prostitucion.

Të rënda përmenden edhe shkeljet e të drejtave të grave, megjithëse në raport pranohet se nuk ka shifra të saka për numrin e grave viktima të trafikut të prostitucionit. Në raport është vlerësuar si shkelje e të drejtave të njeriut trajtimi i të dënuarve dhe të paraburgosurve në dhomat e izolimit pranë komisariatit të policisë.

Ndërsa në përgjithësi kujdesi shëndetësor dhe përkrahja sociale konsiderohen në nivele të ulëta jo vetëm për shkak të mungesave financiare por edhe abuzimeve dhe shfaqjeve korruptive.

Në një përmbledhje me shifra në raportin e avokatit të popullit thuhet se numri i ankesave i trajtuar gjatë vitit 2002 në administratën publike, duke filluar që nga këshilli i ministrave është 3263./tvklan.al