Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Greqia ka marrë përsipër përgjegjësinë për humbjen e më shumë se 480 fëmijëve nga shkolla e rehabilitimit të tyre “Agia Barbara” në Athinë, ndërsa 23 të tjerë rezultuan të humbur në shkollën “Filoksenia” ne Selanik. Lajmi konfirmohet nga Avokati i Popullit Ermir Dobjani, i cili rreth një vit më parë i është drejtuar homologut të tij grek.

Ermir Dobjabi: “Rezulton, që pjesa më e madhe e atyre fëmijëve që janë strehuar në periudhën nga viti 98 deri në vitin 2002, janë larguar nga kjo dhe nuk dihet se si kanë përfunduar ata. Dua të them, që kjo iniciativë e shtetit grek, ka qenë një iniciativë e mirë për një projekt të shtetit grek, pra të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Rendit grek në vitin 98, për të mbledhur fëmijët e rrugës, kryesisht shqiptarë që ishin në Greqi pa kujdes. Mirëpo kjo iniciativë, ky projekt nuk u shoqërua me masa të forta dhe të mira organizative, administrative dhe financiare për ta mbështetur projektin”.

Në përgjigjen e Ombudsmanit Grek për të drejtat e fëmijëve George Moskos thuhet:

“Hetimet e Ombudsman Grek konfirmuan se në të vërtetë një numër i madh fëmijësh ka ikur nga institucioni kujdestar “Agia Barbara”, ku ata ishin vendosur gjatë periudhës 1998-2002 dhe zyrtarisht quhen të zhdukur, sepse atyre nuk u dihet vendndodhja nga policia, ose autoritete të tjera”.

Hetimi zbuloi, se asnjë zyrtarë shtetëror i përfshirë në program, nuk kishte marrë zyrtarisht përgjegjësinë për zbatimin e tij të plotë në asnjë stad. Fëmijët shqiptarë të zhdukur pasi janë shfrytëzuar në rrugët e Greqisë, kanë qenë një nga çështjet për të cilat kanë mbledhur mjaft të dhëna organizatat Tea Dezom.

Shifrat janë dhënë nga policia greke qoftë për fëmijët e zhdukur nga shkollat “Agia Barbara” dhe “Filoksenia”, qoftë edhe për ata që mendohet se janë ricikluar nga rrjete mjaft të sofistikuar trafikantësh, gjë që i ka lënë shteg autoriteteve greke për nisjen e hetimeve për një trafik të mundshëm organesh. Ata kanë sekuestruar tashmë një klinikë që dyshohet se ka kryer këtë lloj aktiviteti dhe dokumentacionin e saj./tvklan.al