Janë 5 ish-drejtorë drejtorish policie dhe nënpunës me gradë të lartë, komisarë ose kryekomisarë që kanë dorëzuar ankesat e tyre tek Avokati i Popullit pas shkarkimit me urdhër të ministrit të Rendit. Komisioneri i Avokatit të Popullit Jorgo Dhrami konfirmoi se deri tani kanë paraqitur ankesat dhe ka dhënë shpjegime ish-drejtori i Policisë së Elbasanit Neritan Nallbati, ish-kreu i Policisë së Beratit Ilirjan Dida, ish-drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës Pjerin Ndreu i cili ka kontaktuar dy ditë më parë me komisionerin Dhrami, ish-kreu i Qarkullimit Rrugor në Vlorë Ilirjan Rrokaj dhe ish-shefi i personelit në Drejtorinë e Policisë së Vlorës Theodhori Grevani. Përgjigje i është kthyer vetëm ish-kreut të Policisë së Beratit Dida për të cilin akuza e Lushnjës dhe Gjirokastrës kanë nisur ndjekjen penale ndërsa Gjykata e Tiranës, po shqyrton kërkesën e tij për kthimin në punë. Ndërsa për 4 zyrtarët e tjerë Avokati i Popullit është në fazën e verifikimit. Deri tani ai ka dërguar përfaqësuesit në prokuroritë e rretheve ku sipas ministrisë së Rendit, kanë filluar verifikimet për implikimet e mundshme në vepra penale. /tvklan.al