Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Drejtori i policisë së shtetit Bajram Ibraj ka pranuar se në punën e policisë ka pasur dhe mangësia. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, me krerët e policisë së Tiranës, Vlorës, Durrësit dhe Lezhës, Ibraj ka bërë publike, rezultatet e arritura dy ditë pas nisjes së operacionit “Rrjeta e hekurt”, nisur pas tragjedisë së 9 Janarit, ku humbën jetën mbi 20 persona.

I pyetur nga TV Klan, përse Ministria e Rendit ndërmerr fushata për të luftuar trafikun dhe personat e inkriminuar vetëm kur ndodhin ngjarje të bujshme, siç ishte tragjedia e Karaburunit, Ibraj përgjigjet.

Bajram Ibraj:- “Ne kemi bërë publike gjatë gjithë vitit 2003, gjithashtu dhe në analizën vjetore të drejtorisë së përgjithshme të policisë dhe të rendit publik, operacionet që janë zhvilluar herë pas here dhe treguesit, ashtu siç kemi bërë prezent mangësitë dhe problemet që ka pasur dhe që ka policia e shtetit. Natyrisht ngjarja është shumë e rëndë, tragjedia kombëtare që ndodhi, ishte dhe një rizgjim dhe më i shpejtë, një përshpejtim i disa veprimeve që ne i kemi planifikuar një pjesë të tyre edhe gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2003”.

Sipas kreut të policisë së shtetit vetëm gjatë këtyre dy ditëve të para të operacionit janë sekuestruar në Tiranë, ku dhe është i përqendruar ky operacion 5 lokale, dy prej të cilave pronë e Ilir Ramës, i arrestuar kohë më parë, pasi iu gjet një sasi e konsiderueshme droge. Një lokal i Fatjon Bodinakut, një ambient biznesi, si dhe lokali i Altin Lamajt “Venecia”.

Ndërkohë që sekuestrime të pronave të personave të inkriminuar ka pasur dhe në Durrës, në Fier, Korçë dhe Vlorë, ku dje u sekuestrua një punishte për riparimin e mjeteve lundruese, por kjo valë sekuestrimesh ka ngjallur një debat jo vetëm mes pronarëve të këtyre pronave, por edhe juristëve.

Një pjesë e tyre mendojnë se vetëm pas miratimit të ligjit përkatës nga parlamenti, mund të bëhet sekuestrimi i këtyre pronave, ndërsa të tjerë pohojnë se këto janë vetëm bllokime të pasurive deri në verifikimin e tyre. Vetë Ibraj përsa u përket ligjshmërisë së këtyre sekuestrimeve shprehet.

Bajram Ibraj:- “Ne kemi bërë detyrën që na ngarkon dispozita ligjore. Dokumentacioni është në dispozicion të prokurorisë, ajo do të bëjë shqyrtimin e saj, do kalojë në gjykatë dhe të gjitha institucionet do të kryejnë së bashku detyrat që edhe atyre u ngarkon legjislacioni përkatës në vendin tonë”./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka