Në takime të njëpasnjëshme presidenti i republikës ka pritur gjatë paradites ambasadorin e delegacionit të KE-së, Helmuth Lohan, ambasadorin amerikan, John Withers, dhe kryetarin e nënkryetarin e grupit parlamentar demokrat, Patozi e Bano.

Zhvillimet më të fundit politike në vendin tonë, por dhe dekretet e presidentit për pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë qenë në thelb të takimeve të kërkuara nga vetë ambasadorët, temë kryesore kjo dhe e takimit të kërkuar nga përfaqësuesit e mazhorancës, Patozi dhe Bano, të zgjedhur nga kryeministri si negociatorë për gjetjen e një zgjidhjeje për dekretet, të cilat prej 12 Majit ndodhen në zyrat e kuvendit.

Pas takimit që ka zgjatur plot 120 minuta Patozi nuk ka dhënë asnjë detaj mbi ato që u diskutuan me zotin Topi.

Në deklaratën e tij të shkurtër përpara gazetarëve Patozi tha se në takim mbizotëroi fryma pozitive për zhbllokimin e kësaj situate.

Astrit Patozi: “Unë mund t’ju them me dy fjali që ishte një takim i hapur, miqësor dhe sigurisht institucional. Ne mbetemi që të gjitha problemet politike jemi partizanë të dialogut për të gjitha problemet politike dhe shpresojmë që të gjendet një zgjidhje sa më e pranueshme”.

Mësohet se përfaqësuesit e mazhorancës i kanë kërkuar presidentit që në frymën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të fillojnë diskutimet mbi dekretet për pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë.

Nuk dihet se kush ka qenë qëndrimi i zotit Topi gjatë këtij takimi./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka