Gazmend Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj janë dy nënkryetarët e rinj të Partisë Demokratike, pas miratimit të ndryshimeve statutore në Këshillin Kombëtar. Amendimet që u diskutuan më herët edhe në Kryesi, pas një debati prej tre orësh u vendos që të bëhen me dispozitë tranzitore dhe të aplikohen vetëm për këtë rast.

Sipas ndryshimeve statutore, kryetari i grupit parlamentar dhe nënkryetari i Kuvendit janë automatikisht Nënkryetarë të Partisë Demokratike, pa qenë nevoja që t’i nënshtrohen votimit. Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Sekretari I Përgjithshëm Flamur Noka e cilësoi ditë historike për demokratët bashkimin në një të dy grupimeve, duke hedhur poshtë zërat se procesi ishte antistatutor.

Flamur Noka: Kryesia votoi në mënyrë unanime draftin dhe ja çoi për miratim Këshillit Kombëtar që kishte vetëm 6 vota kundër dhe e votoi pothuajse në mënyrë unanime këtë proces bashkimi aq shumë të pritur. Procesi ka shkuar konform statutit pikë për pikë. Sot, në Këshillin Kombëtar janë përfaqësuesit e demokratëve. Vota vendosi këtë bashkim.

Me ndryshimet e reja statutore, anëtarë kryesie pa kaluar në votim bëhen automatikisht edhe Kryetarët e Nënkryetarët e komisioneve parlamentare, mes të cilëve deputetët; Jorida Tabaku, Ervin Salianji, Dhurata Çupi, Tomor Alizoti, Zheni Gjergji, Helidon Bushati dhe Ferdinand Xhaferri.

Pas përfshirjes së grupimit të Gazment Bardhit në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike që drejtohet nga Sali Berisha, pritet që të nisë edhe procesi i zgjedhjes së 19 krerëve të degëve, të cilëve u ka mbaruar afati i komandimit.

Tv Klan