Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha sëbashku me kandidatin për kryetar bashkie në Dibër, Sherefedin Shehu zhvilluan takime me banorë të fshatrave Kandërr, Kishavec, Vakuf, Borovjan, Deshat.

Basha tha se në tre vite kjo qeveria ia ka shtuar hallet shqiptarëve. Sipas tij, ekonomia është përkeqësuar, varfëria është shtuar, papunësia po ashtu ndërkohë që të vetmit që pasurohen çdo ditë me pasuritë publike të këtij vendi janë pushtetarët dhe miqtë e tyre. Ndaj, theksoi Basha, kjo është arsyeja që nga jugu në veri, ka nisur një bashkim i madh i shqiptarëve, përtej ngjyrave politike, për të larguar bandën e Edi Ramës.

“Kjo është shenjë e një bashkimi të madh. Një bashkimi të madh që i tejkalon vijat politike dhe që bëhet sepse shqiptarët e kanë kuptuar se ata që kemi sot mbi krye nuk e meritojnë emrin qeveritar apo qeverisës. Janë një bandë sunduesish, hajdutësh dhe kriminelësh të cilët për popullin kanë vetëm tre alternativa; varfërinë, burgun ose emigracionin. Dhe se gjithçka ky vend ka e duan për vete”

, u shpreh kreu i PD.

Ndërsa kandidati Shehu theksoi se për Dibrën është një fyerje e madhe ardhja e ministrave që s’kanë asnjë lidhje me Dibrën dhe deputetët e saj nuk duken në fushatë. Sipas tij, Gjiknuri, përgjegjësi për rritjen e çmimit të energjisë dhe presionit me faturat abuzive ka vetëm një qëllim në vizitat e shpeshta në Dibër, të shohë ku mund të japë koncesion për hidrocentralin e radhës.

“Pse vjen Damian Gjiknuri dhe kapardiset me atë çantën krahë e qafë?! Ai ka ardhur për të studiuar kur mund të bëjë hidrocentralin tjetër. Sepse njërin e ka projektuar atje dhe  prisni se do t’ju përmbysen tokat këtu. Se ai vetëm këtë punë di të bëjë bashkë me Ramën dhe Arben Ahmetajn dhe me gjithë të tjerët”,

tha Shehu.

Duke parashtruar programin e tij për Bashkinë, Shehu tha se ofrimi i shërbimeve që nga pastrimi, sistemimi i rrugëve dhe kanalet vaditëse do të jenë prioritet. Sipas tij, kjo Bashki i ka të gjitha mundësitë, por nuk ka vëmendjen për t’u shërbyer qytetarëve./tvklan.al