Një ditë pas shpërthimit që shkrumboi tërësisht një dyqan të tregtimit të gazit në Korçë bashkia ka kërkuar që të pezullohet përkohësisht shitja e gazit në të gjitha pikat brenda qytetit.

Kontrolli i ushtruar nga grupi task-force ka konstatuar se asnjë nga njësitë e tregtimit të gazit në qytetin e Korçës nuk është pajisur me vërtetim teknik të inspektoratit qendror.

Niko Peleshi: “Kemi pritur, jo vetëm për këtë subjekt, por për të gjithë subjektet e tjera një reagim më eficent i Inspektoratit Qendror Teknik për t’i pajisur, për t’i certifikuar këto pika shitje në përputhje me të gjitha normat e sigurisë. Kam vendosur pezullimin e të gjithë aktivitetit të tregtimit të bombolave me pakicë në të gjithë, brenda qytetit të Korçës, pra brenda, pranë qendrave të banuara”.

Por edhe pse bashkia ka kërkuar pezullimin e ushtrimit të këtij aktiviteti tregtimi i gazit vazhdon normalisht në të tetë pikat e shitjes.

Nga një vëzhgim i kamerës sonë duket qartë se tregtarët vazhdojnë të pa shqetësuar shitjen e gazit ashtu si dhe më parë.

“Bashkia gjer tashi s’ka vënë dorë. Më vonë ishalla bëhet kjo punë.”

“Më duket se është një vendim shumë i drejtë, bile të ishte marrë edhe ca kohë më parë”.

Të gjitha njësitë e tregtimit të gazit në Korçë ndodhen poshtë pallateve ose pranë tyre.

Nuk kanë dalje nga prapa dhe janë pa sistem ajrimi, ndërkohë qytetarët thonë se një tjetër shqetësim janë dhe pikat e karburantit në brendësi të qytetit./tvklan.al