Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar të hënën rregulloren që u lejon edhe serbëve të Kosovës të pajisur me pasaporta serbe, t’u hiqen vizat. Qeveria e Kosovës është shprehur e zhgënjyer me vendimin e marrë nga Bashkimi Evropian.

Në reagimin e zyrës së zv/kryeministrit Besnik Bislimi thuhet se cilido vendim i BE-së, nuk e zhbën faktin që ato pasaporta vazhdojnë të mbeten ilegale, në shkelje të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë.

“Ato pasaporta, do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona. Secili qytetar i vendit, nga secili komunitet, ka të drejtën e plotë që të përfitojë nga lëvizja e lirë pa viza, përmes pasaportës së Republikës së Kosovës”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zv/kryeministrit të Kosovës.

E opozita fajin e hedh të qeveria e Kosovës.

“Pra, pasaportat e lëshuara nga strukturat paralele të Serbisë paskan marrë sot vulë legjitimiteti nga BE. Çfarë shpartallimi politik dhe diplomatik për qeverinë Kurti. Ja ku e sollën Kosovën sjelljet infantile dhe aventureske të kësaj kaste udhëheqëse”, u shpreh nënkryetarja e PDK, Vlora Çitaku.

“Pikërisht sot në 14 vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare, u cenua sovraniteti i Republikës së Kosovës”, tha deputetja e LDK, Rrezarta Krasniqi.

Pasaporta të lëshuara nga Beogradi zyrtar për qytetarë të Kosovës, e ku vendbanimin e kanë në qytete të Kosovës nuk njihen nga autoritetet e Kosovës dhe konsiderohen si dokumente ilegale. Vendimi pritet të prekë rreth 18 mijë banorë serbë të Kosovës që i posedojnë këto dokumente.

Tv Klan