Bashkimi Europian duket se po shkon drejt aplikimit të hotspoteve të jashtme, apo siç njihen ndryshe kampet jashtë kufijve të unionit për përballimin e çështjes së emigracionit. Një formulë e ngjashme është ajo që Italia po aplikon me Shqipërinë.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, vendi i të cilit ka presidencën e Bashkimit Europian do t’u paraqesë javën e ardhshme liderëve të vendeve të Bashkimit Europian prioritetet e punës së tij dhe një prej të cilave është edhe migrimi i paligjshëm. Në një konferencë për shtyp të zhvilluar në Strasburg, Orban tha se hotspotet e jashtme janë zgjidhja më e mirë.

“Që nga viti 2015, kam thënë të njëjtën gjë: ne mund të provojmë të gjitha llojet e pakteve, por ka vetëm një mënyrë për të kontrolluar migracionin, hotspotet e jashtëm. Derisa të biem dakord se kushdo që mund të hyjë në BE, duhet të ndalet në kufijtë e jashtëm të BE-së derisa aplikimi i tij të vlerësohet pozitivisht, ne kurrë nuk do ta ndalojmë migrimin.”

Huffington Post shkruan se nga burime të saj, ka mësuar se ky plan i Orban pritet të marrë edhe mbështetjen e liderëve të 27 vendeve të unionit. Pakti mes Shqipërisë dhe Italisë për trajtimin e emigrantëve, që parashikon ngritjen e qendrave të pritjes në Shëngjin dhe Gjadër ka zgjuar interes në disa vende europiane.

Një formulë e tillë po diskutohet edhe mes partive të koalicionit qeverisës në Gjermani ndërsa edhe Britania e Madhe ka shprehur interes për marrëveshjen.

Tv Klan