Për herë të parë që nga fillimi i luftimeve, grupi militant Hezbollah ka hedhur mbi 100 raketa drejt qyteteve Haifa dhe Krayot në Izraelin verior.

Një pjesë e madhe e raketave u neutralizuan nga mbrojtja ajrore izraelite.

Si kundërpërgjigje forcat e Mbrojtjes së Izraelit sulmuan sërish Dahieh në Bejrut. Ndërkohë ushtria izraelite ka paralajmëruar njerëzit në Liban që të mos shkojnë në jug të vendit pasi po zgjerojnë sulmet.

Situata në Liban po përkeqësohet nga dita në ditë, deklaroi në Parlamentin Evropian shefi i Jashtëm i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, duke shtuar se duhet të arrihet një armëpushim.

“Situata në Liban po përkeqësohet. Qindra mijëra njerëz, tani janë evakuuar. Bombardimet kanë prekur mjetet e komunikimit me Sirinë dhe emigrantët sirianë po kthehen në vendin e tyre për t’i shpëtuar luftimeve dhe kjo do të ketë pasoja për ne. Është shumë e rëndësishme që ne të arrijmë një armëpushim.”

Nga ana tjetër Nënkryetari i Hezbollahut Naim Qassem u shpreh se grupi mbështet përpjekjet për të arritur një armëpushim në Liban.

Gjithashtu Irani ka paralajmëruar Izraelin kundër çdo sulmi ndaj Republikës Islamike. “Çdo sulm ndaj infrastrukturës së Iranit do të përballet me hakmarrje”, tha ministri i Jashtëm Abbas Araqchi.

Klan News