Tentativa për atentat ndaj kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti  dhe incidente të tjera që shoqëruan ditën e dytë të fushatës elektorale, janë të pa pranueshme për drejtuesit e Bashkimit Europian. Shefi i diplomacisë europiane Javier Solana (Havier Solana), i pyetur për këtë u shpreh se i dënonte këto incidente dhe i kërkonte politikanëve e qytetarëve maqedonas që të garantojnë mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Nga ana tjetër edhe Sllovenia vendi që ka presidencën e radhës së BE, ka dënuar fuqishëm përmes një komunikate për shtypin incidentet e ditëve të fundit, duke u shprehur se dhuna nuk mund të ketë vend në fushatë elektorale. Po kështu dhe komisioni është i shqetësuar për incidentet që ka ndodhur në prag të zgjedhjeve të ish-republikës Jugosllave të Maqedonisë. Sipas zëdhënëses Kristina Nagi, komisioneri Rehn, kërkon që akte të tilla të dhunshme të hetohen menjëherë nga prokuroria.

Komisioni Europian i bën thirrje gjithë drejtuesve politik, aktivistëve partiake e qytetarëve që të dëshmojnë sjellje që garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme e po ashtu një sjellje paqësore gjatë fushatës elektorale. Kjo është krejt normale për një vend që kërkon anëtarësim në BE sipas Kristina Nagit. Zhvillimi i zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm për komisionin dhe mbikëqyrja e tyre do të jetë pjesë e progres-raportit për Maqedoninë në nëntor.

Atenati ndaj Ali Ahmetit ndodhi pas një tubimi të ndërprerë në krismat e armëve në Rakovec dhe makina e tij u qëllua në momentin kur lideri i BDI-së po largohej./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj