Në kuadër të vizitës 2-ditore në Gjermani, Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar takim kokë më kokë me homologun gjerman, Frank Walter Steinmeier. Në fokus të takimit kanë qenë diskutimet për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Presidenti Begaj ka falenderuar homologun e tij, Steinmeier për kontributin në forcimin e marrëdhënieve dhe partneritetit mes 2 shteteve teksa ka thënë se Gjermania ka mbështetur Shqipërinë për avancimin e reformave dhe zhvillimin e vendit.

“Takimi, tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer politik dhe i vëmendjes së vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Shqipërisë. Roli i Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor i pazëvendësueshëm përballë sfidave që komprometojnë të ardhmen Euroatlantike. Duhet bashkëpunim i ngushtë rajonal. E ardhmja evropiane udhërrëfyes për begatinë e rajonit”, është shprehur Begaj.

Në Berlin, Presidenti Begaj do të takohet me drejtuesit e shoqatave të Diasporës, me të cilët do të bisedojë mbi integrimin ekonomik, social dhe politik të shqiptarëve në Gjermani.

Pas Berlinit, Presidenti Begaj do të zhvillojnë një vizitë në Hamburg, ku do t’i bashkohet tifozëve kuqezi në “Volksparkstadion“ për të mbështetur Kombëtaren e Shqipërisë në përballjen me Kroacinë në Euro 2024. Më pas, Presidenti Begaj do të pritet në një takim zyrtar nga kryetari i këtij landi, Peter Tschentscher.

Gjithashtu, në axhendën e Presidentit Begaj është edhe takimi me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, si dhe me ish-raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein./tvklan.al