Në një sallë të mbushur me mbështetës të tij, Gjykata e Posaçme shpalli fajtor Alfred Belerin, kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës për blerje të votave në zgjedhjet lokale dhe e dënoi atë me 2 vite burg.

Me 3 vite shërbim prove u dënua dhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi, i cili gjithashtu u gjet fajtor për korrupsion në zgjedhje. Masat e dënimit të dhëna nga gjykata janë më të ulëta se ato të kërkuara nga SPAK 2 javë më parë.

Këtë të martë, para se gjyqtarët të tërhiqeshin në dhomë këshillimi, Beleri lëxoi kundërshtimet e tij për akuzat e ngritura nga SPAK.  Ai e konsideroi hetimin dhe gjykimin me sfond politik në mënyrë që të mos dilte fitues në Himarë dhe të mos e merrte mandatin më pas.

Në nisje të fjalës, kryesuesi i trupës gjykuese ndërpreu Belerin, në momentin që po komentonte veprimet e gjykatës, duke i thënë se ndodhet përballë akuzave të SPAK dhe duhet të kundërshtonte ato, jo të anatemonte anëtarë të trupit gjykues.

Ky qëndrim i gjykatës, u lexua nga avokati i Belerit si paracaktim i vendimit të shpallur.

“Ju e dëgjuat deklaratën e z.Beleri, diskutimin përfundimtar të tij. Në qoftë se shikoni momentin më të vogël sulm të z.Beleri si e artikuloi kryetari i seancës që në fillim të seancës bëri dhe gafën e radhës, e ndërpreu diskutimin e z.Beleri. Kjo është një vendim dhe dënim politik siç e porositi Kryeministri”, tha avokati.

Përballë gjykatës, Beleri dhe avokati i tij zgjodhën të mbrohen me procedurë.

Ata kundërshtuan mënyrën e marrjes së provave, duke pretenduar se përgjimet ishin të paligjshme dhe mesazhet e gjetura në telefonin e bashkëpunëtorit të Belerit gjithashtu ishin marrë në mënyrë të paligjshme.

Këto përgjime dhe mesazhe ku flitej për sigurim të votuesve për zgjedhjet e 14 Majit 2023 dhe dhënie të parave, sipas SPAK të kombinuara edhe me dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, konfirmuan se Beleri u përfshi në korrupsion zgjedhor.

Tv Klan