Vllaznia do të luajë në transfertë kundër Skënderbeut në javën e tretë të kampionatit. Trajneri Tomas Bërdariç tha në konferencën për shtyp përpara takimit se është i paduruar për këtë përballje.

“Skënderbeu është një kundërshtar i fortë. Kemi luajtur ndaj tyre në Final 4 sezonin e shkuar. Janë një skuadër serioze, kanë një stil të bukur të të luajturit, por ne do të japim më të mirën ndaj tyre. Na pret një sfidë e madhe. Puna e stafit tonë është të përgatitemi me futbollistët që kemi të gatshëm. Situata për të dëmtuarit nuk ka ndryshuar, përveç Krymit që është 50 me 50%. Në të tilla sfida duhet të tregohemi të zgjuar të vëmë në zbatim çfarë jemi stërvitur”.

Tekniku e bën të qartë, se kuq e blutë në fushë futen vetëm për fitore.

“Nuk më pëlqen që skuadra të lejë asnjë pikë. Ne luajmë vetëm për të fituar dhe atje do të shkojmë për tri pikët. Na duhet që çfarë bëjmë në stërvitje, t’i aplikojmë në fushë. Të rinjtë duhet të jenë të durueshëm. Por unë dua që t’ju jap hapësirë, që t’u tregoj se janë pjesë e ekipit. Titulli? Si fillim duhet të punojmë e të marrim rezultate të mira në çdo takim. E nëse gjërat shkojnë mire, në fund të luftojmë fort. Asnjë nuk e di se çfarë do të ndodhë pas 10-11 muajsh. Por duhet të jemi pozitivë”.

Pas dy javëve, Vllaznia ka grumbulluar 4 pikë e gjendet në vend të tretë, ndërsa Skënderbeu ka vetëm 1 pikë.

Klan News