Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Raporti vjetor i Bashkimit Europian, që vlerëson reformat në Shqipëri, si të kufizuara, ka forcuar zërin e opozitës kundër qeverisë Nano. Kreu i demokratëve Sali Berisha, pothuajse hapur i ka bërë thirrje shqiptarëve dhe klasës politike të pa përzier me krimin, të bashkohet me opozitën, për rrëzimin e qeverisjes socialiste.

Sali Berisha:- “Raporti fakton me shifra, argumente dhe fakte, se me Fatos Nanon, se me qeverinë e Fatos Nanos, nuk shkohet drejt Brukselit, por shkohet drejt Nigerit. Këtë raport, unë e konsiderojë një kushtrim të vërtetë. Ky raport iu fakton qytetarëve shqiptarë, se fatkeqësia e madhe e tyre janë qeveria e korruptuar dhe krimi i organizuar nga qeveria. Ndaj dhe është më shumë se kudo tjetër dhe në çdo gjë tjetër, në duart e tyre, procesi i integrimit. Është një apel i fuqishëm për forcat politike, në mënyrë që t’i japin vendit sa më shpejt qeverinë që meriton. Me qeverinë e Fatos Nanos, me qeverinë e padrinove, Shqipëria është e pashpresë në rrugën e integrimit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë të pashpresa”.

Në apelin e liderit të opozitës është përfshirë edhe presidenti Alfred Moisiu, për të filluar urgjentisht reformën në sistemin e drejtësisë.

Sali Berisha:- “Është një apel i fuqishëm për Presidentin e Republikës, që me vendosmëri të procedojë për reformën në drejtësi, të mos lerë fatet e drejtësisë së vendit në duart e padrinove që korruptojnë juristët, gjykatësit, i blen dhe i shet sipas interesave të momentit, por të paraqesë para parlamentit dhe kombit, platformën për reformimin e këtij sistemi”.

Kreu i demokratëve i ka kërkuar dhe prokurorit të përgjithshëm, të spastrojë prokurorinë nga elementët e inkriminuar, ndërsa forcave të policisë të mos pajtohen me urdhra të paligjshëm që favorizojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço