Një ditë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nxorën fitues demokratin Barack Obama, kryeministri Berisha i ka dërguar një mesazh urimi për fitoren historike. Në mesazhin e tij kryeministri Berisha e sheh këtë si rezultat i një fushate elektorale nga më të bukurat të kohërave dhe që mbetet legjendë në historinë e zgjedhjeve.

Me votën e tyre historike më 4 nëntor, shkruan Berisha, qytetarët tija të kombit të madh ndryshuan jo thjesht pushtetin por dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë njerëzimin. Kryeministri shqiptar i uron suksese të plota Obamës në detyrën e lartë dhe fisnike, sipas tij zgjedhjet e datës 4 nëntor kanë një rëndësi të jashtëzakonshme dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për të gjithë konet e popujt e kombet liridashës të cilët e shikojnë Amerikën si modelin e shkëlqyer dhe garantuesin ma të madh të lirisë dh vlerave të saj.

Ne shqiptarët, vijon Berisha mesazhin e tij, jemi një komb i vogël që kemi gjetur te Shtetet e Bashkuara aleatin dhe mikun më të çmuar për çështjet e të drejtës, në këtë kontekst dëshiroj t’ju siguroj se qeveria ime dhe mbarë shqiptarët mbetemi të vendosur që gjatë mandatit tuaj kjo aleance bashkëpunimit  të forcohet dhe të konsolidohet më tej në të gjitha fushat. Berisha e mbyll urimin e tij për presidentin e ri Amerikan duke pohuar konsideratën e tij më të lartë për të./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka