Ndalesa në bashkinë e Kamzës e kryetarit të qeverisë Sali Berisha, i ka shërbyer për të garantuar më shumë investime në të ardhmen. Turi për Shqipërinë do të kurorëzohej me inaugurimin e tre investimeve të rëndësishme me një vlerë prej rreth 200 milion lekësh nga buxheti i shtetit.

Fillimisht në kopshtin e fëmijëve, ku në hyrje të tij, kryetarit të qeverisë i uruan mirëseardhjen fëmijë të zonës. Kopshti i ri i kurorëzuar me emrin, Kamza e re ka kushtuar 34 milion lekë nga buxheti, një investim i domosdoshëm që krijon hapësira dhe komoditet absolut për fëmijët.

Gjithçka duket të ishte organizuar nga vetë fëmijët të cilët për një mysafir jo të zakonshëm i kishin menduar të gjitha, nga lulet vjershat deri tek një pjese me çifteli.

Komisariati i ri i policisë ishte ndalesa e radhës edhe ky investim nga buxheti me vlerë 104 milion lekë. këtu kryeministri e pa të udhës të sqarojë dy momente të rëndësishme që angazhojnë uniformat blu. Luftën kundër krimit si dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sali Berisha: “Krimin duhet ta luftojmë me një vendosmëri të madhe, rezultatet janë impresionuese, por nuk mund të mendohet kurrë që të zhduket. E rëndësishme është që ai të jetë në një presion të vazhdueshëm dhe konstant se do të marrë përgjigjie ligjore”.

Kryeministri Berisha u ndal në mënyrë të veçantë tek zgjedhjet.

Sali Berisha: “Se ne bëhemi vend anëtarë i NATO-s dhe ne kemi një detyrim, një përgjegjësi shumë më të madhe si ndaj zgjedhësve tanë, por dhe ndaj aleatëve tanë dhe unë jam shumë, shumë i bindur tek përkushtimi i organeve të policisë se do të japin të gjithë kontributin e tyre për një fushatë zgjedhore pa konflikte”.

Në bashkinë e qytetit ndalesa më e rëndësishme e kryeministrit ishte në qendrën e aplikimit për letërnjoftimet e reja. Të paktën 450 aplikime në ditë kryhen në këtë qendër. Kryetari i bashkisë garantoi se procesi do të mbyllet në kohë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryeministri kujtoi vendimin më të fundit të qeverise, uljen e dytë të çmimit të letërnjoftimeve të reja, duke i bërë ato disa herë më të lirë se vetë kostoja.

Në stadium banorët e bashkisë rezervuan një tjetër pritje kryetarit të qeverisë. Në ambientet e  rikonstruktuara falë investimit qeveritar prej 45 milion lekësh ofrohen kushte moderne për talentet e reja të futbollit. Krahas një fanellë të skuadrës të rinjtë i dhënë mundësinë kryetarit të qeverisë të shkelmojë topin e parë të ndeshjes.

Gjithçka do të zbardhej më pas në një takim në qendër të Kamzës mes qytetarësh të shumtë të mbledhur në sheshin pranë bashkisë. Kryeministri e cilësoi Kamzën qytetin më të ri të vendit që në dy vitet e fundit shënon shifra të konsiderueshme në investime në rrugë, rrjet elektrik, shkolla e kopshte.

Sali Berisha: “Ne vijmë në takim fjalë mbajtur, sepse ne kemi investuar gjatë kësaj periudhe në qytetin tuaj për infrastrukturën, për shërbimet, për ujin, shkollat, dritat 25 milion euro, pra rreth 3 miliard lekë. Ku në gjithsej 500 milion lekë të investuara 8 vitet me ne së bashku. Dhe ju garantoj ju se qeveria ime do të shumëfishoj investimet gjer sa ju të jeni një nga qytet më të zhvilluara, më të begata të Shqipërisë”.

Duke ju referuar zgjedhjeve, kryeministri tha i sigurt se shqiptarët do të dinë të zgjedhin nga dy alternativa në konkurrim ndonëse të dyja flasin për ndryshimin.

Sali Berisha: “Sepse ju që shihni çdo ditë infrastrukturën tuaj të ndryshoj, dini ta dalloni se cili është ndryshimi dhe cili është mashtrimi. Le të themi se arsimin e keni përparësi, ndaj dhe kemi dyfishuar rrogat e mësuesve….”./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi