Në Samitin e Lirisë, një aktivitet që zhvillohet në Tiranë, për herë të parë nga Aleanca e Konservatorëve dhe Reformistëve në Europë në 100 vjetorin e Revolucionit Bolshevik rus që solli vendosjen e regjimit komunist në shumë vende të Europës, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi miliarderin Xhorxh Soros si mbështetës të pasuesve të partive komuniste në vendet e lindjes.

Po ju them se Xhorxh Soros u bë një faktor thelbësor në ndihmën që u dha mbetjeve të komunizmit në vendet ish komuniste. Soros që në fillim ndihmoi partinë e opozitës. Ok, asnjë kundërshtim me këtë. Por ajo që ishte tmerresisht e dëmshme Soros e ndërtoi një shoqëri civile totalisht të varur nga ish partia komuniste, duke deformar kështu esencën, thelbin kryesor të shoqërisë civile. Nëse merrni listën e shoqërisë civile në këtë vend, ju siguroj se 99% e tyre janë leva të ish partise komuniste”.

Berisha thotë se miliarderi nuk e ka pasur të vështirë të korruptojë politikanë edhe në Shqipëri.

“Kryeministri aktual i Shqipërisë është njeriu ku Soros ka investuar më shumë se ne çdo politikan tjetër në vendet ish komuniste. Kështu, vetë ai është investim direkt i tij. Ish gruaja e tij ka qenë presidente e fondacionit Soros në Shqipëri, gruaja aktuale ka qenë presidente e fondacionit Soros në Shqipëri. Po çfarë gjetën më vonë? Gjetën se Soros çonte letra dhe mesazhe Departamentit të Shtetit duke u thënë të njëjtat gjëra që lideri i opozitës thoshte kundra meje”.

Berisha shkon edhe më tej kur thotë se Soros ka lidhje edhe me diplomatë të huaj që raportojnë për Shqipërinë.

“Nuk më pëlqejnë teoritë konspirative, por ajo që mund t’ju tregoj është se bashkëshorti i ambasadores së BE këtu është president i Sorosit për Bosnjen. Reporteri i Shqipërisë në Parlamentin Europian është njeriu më i besuar i tij”.

Berisha tha se opozita është në një situatë të vështirë pasi kryeministri Rama zgjodhi me qëllim vitin elektoral për të mbuluar Shqipërinë me drogë.

Tv Klan