Mijëra besimtarë myslimanë në të gjithë vendin kanë çelur muajin e Ramazanit.

Për 29 ditë me radhë ata do të agjërojnë pasi ky është një nga pikat e para të themeleve të besimit të fesë islame.

Ata ndalojnë së ngrëni dhe së piri nga lindja e diellit deri në perëndim të tij. Sipas imamit të xhamisë tek “Rruga e Kavajës” ky muaj është i shenjtë dhe për të gjithë ata që agjërojnë me devotshmëri Zoti arrin t’u falë mëkatet që kanë bërë më parë.

Ahmet Kalaja: “Muaji i Ramazanit ndryshe nga muajt e tjerë është një muaj i veçantë në të cilin kanë zbritur të gjithë librat qiellorë, pra siç ka zbritur Kurani në muajin e Ramazanit, po kështu dhe Ungjilli, po kështu dhe Teurati, po kështu dhe Zeburi kanë zbritur pikërisht në muajin e Ramazanit. Në të ndodhet nata e Kadrit që është një natë e begatë, një natë që përcakton çdo gjë që ka të bëjë me jetën e njeriut për një vit. Gjithashtu, në muajin e Ramazanit siç ka përmendur profeti a.s hapen dyert e xhenetit, dyert e parajsës. Mbyllen duart e xhehenemit, pra dyert e ferrit. Zbresin melaiket e Zotit në tokë, prangosen djajtë dhe shejtanët. Është një muaj për të cilin profeti a.s ka thënë kush agjëron në muajin e Ramazanit me besim dhe shpresë Zoti do t’ia fali të gjitha mëkatet që ka bërë më përpara. Është një muaj që nëse besimtari e kalon me falje, me lutje, me adhurim, edhe nëse ka bërë mëkate dhe gjynahe më përpara Zoti do t’ia fali”.

Gjatë muajit të Ramazanit krahas ndërprerjes së ushqimit për disa orë gjatë ditës shtohet edhe numri i faljeve për besimtarët.

Ahmet Kalaja: “Ramazani është prej muajve më të veçantë për të gjithë myslimanët sepse në të ndodhet adhurimi i agjërimit, i cili ka në vetvete më shumë sesa adhurimet e tjera pak më shumë se sakrificë, kështu që detyrohet besimtari gjatë këtij muaji të privohet nga e ngrëna, nga e pira, nga marrëdhëniet intime me bashkëshorten e tij nga agimi deri në perëndim të diellit.”

Por mbajtja e agjërimit ndihmon dhe në ripërtëritjen e trupit të njeriut. Sipas mjekëve agjërimi ndihmon në shkatërrimin e fibrave të panevojshme të sëmura që ripërtërihen pas marrjes së ushqimit./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami