Gjimnazistët e një klase në shkollën e mesme “Sami Frashëri” në Tiranë kanë shpëtuar për fat nga shembja e tavanit në katin e katërt.

Drejtori i kësaj shkolle Jovan Kristiqi tregon se shembja ndodhi pas orës së gjashtë të mësimit kur nxënësit sapo ishin larguar. Kjo sipas tij është një ndodhi e përsëritur.

Jovan Kristiqi: “Ora dy pa një çerek me mbarimin e orës së gjashtë dhe kur nxënësit ishin larguar bie komplet tavani i një klase në katin e katërt të shkollës sonë. Siç e patë trashësia e suvasë ishte e jashtëzakonshme, gati 10 centimetra. Forca ishte kaq e madhe sa ka thyer dhe tavolinën, ka thyer dhe karriget”.

Sipas drejtorit Kristiqi në ditët në vazhdim klasat e katit të katërt nuk do të përdoren për mësim derisa të jenë kontrolluar plotësisht për gjendjen e tyre teknike.

Jovan Kristiqi: “Sigurisht nesër nuk do të bëjmë mësim në këto klasa pa ardhur edhe ekipi i specializuar për kontrollin e suvasë së tavanit.”

Shkolla e mesme “Sami Frashëri” u rikonstruktua në vitin 2004 me fondet e Ministrisë se Arsimit./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle