Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Blendi Fevziu: “Nuk besoj që ditët e fundit qeveria shqiptare e ka pritur një përgjigje pozitive, pavarësisht marketingut politik që i është bërë për ta prezantuar si një arritje. Qeveria shqiptare në të vërtetë priste një përgjigje pozitive nga samiti i Stambollit, pati një lloj shprese, pas vizitës së kryeministrit Nano në SHBA, ku presidenti Bush fillimisht hodhi idenë që vendet e Kartës së Atlantikut mund të anëtarësoheshin, duke përfshirë edhe Shqipërinë, brenda 2007, ose do të merrnin një ftesë për 2007, për t’u anëtarësuar në NATO dhe kur Kongresi Amerikan votoi një rezolutë që i bënte thirrje vendeve të tjera anëtare për ta futur Shqipërinë dhe këto vende brenda 2007. Ky ka qenë momenti i vetëm pozitiv, por ndërkohë me kthimin e kryeministrit Nano nga SHBA dhe me vazhdimin e ngjarjeve, të paktën një muaj para, minimalisht një muaj para, qeveria shqiptare e ka pasur të qartë, që nuk do të merrte një ftesë të tillë, për arsye se nuk bëhej më fjalë për standardet ushtarake, standarde të cilat Shqipëria realisht nuk i plotëson, por që realisht nuk i plotësojnë edhe vende të tjera që janë anëtare të NATO-s, anëtare madje prej 1 ose 2 vjetësh, pra nuk është problemi tek standardet ushtarake, të cilat do vijnë në përmirësim dhe Shqipëria do të shkojë në ato parametra që ka parashikuar legjislacioni shqiptar dhe standardet e NATO-s, por për arsye të një vullneti politik. Duket se kësaj here vullneti është përqendruar në dy pika, që janë pika të stërpërsëritura në 5 vitet e fundit, pika e parë i takon problemit të korrupsionit dhe trafiqeve, sidomos problemit të krimit të organizuar, që është një problem emergjent dhe problemi dytë lidhet me zgjedhjet. Mbas shumë diskutimesh në zgjedhjet e 2001 dhe 2003, Shqipëria do të ketë një nga kushtet bazë dhe themelore për anëtarësimin e saj jo vetëm në NATO, por edhe në struktura të tjera, zgjedhjet e 2005 dhe duhet të them dy gjëra, e para zgjedhjet nuk janë një kusht që janë vendosur vetëm nga NATO, zgjedhjet janë një kusht që janë përsëritur nga disa institucione të tjera, mjafton t’ju them që BE është shprehur në mënyrë eksplicite që guri i provës për firmosjen e MSA që ne mendonim se do ta mbyllnim brenda 2003, do të jenë zgjedhjet e 2005…”

Gazetarja: Për t’u ndalur tek çështja financiare, borxhi financiar, që është lakuar si i tillë kohët e fundit në media i zotit kryeministër, vetë zoti Carteron ka thënë që ky është një borxh që ekziston financiarisht, ndërkohë që nga zyra e shtypit pranë kryeministrit ka dalë një deklaratë e cila e ka përgënjeshtruar. E shikoni këtë si një skandal financiar të kryeministrit tonë, apo si një lojë politike që manipulohet me të?

Blendi Fevziu: “Jo nuk besoj të jetë lojë politike, unë nuk e di deklaratën e, e kam parë deklaratën, por më duket se nuk qëndron, për arsye se, me aq sa jam unë në dijeni ky problem ekziston, ky borxh është njohur fillimisht dhe ka pasur një negocim të vazhdueshëm me qeverinë shqiptare për ta shlyer. Raste të tilla janë flagrante, unikale dhe absurde, imagjinoni një vend si Shqipëria, i cili merr pjesë në Forumin e Krans Montanës, me idenë për të përmirësuar imazhin e saj dhe për t’ju thënë investitorëve ose partnerëve strategjikë që hajde të investoni në Shqipëri dhe largohet andej si një borxhlie skandaloze, duke lënë ca pasaporta në recepsion. Në këtë aspekt është një skandal i përmasave të jashtëzakonshme. Është një skandal të paktën nga ato informata që unë kam, nga momenti që është biseduar kjo, ambasadori i Shqipërisë që ka qenë në tavolinë e ka pranuar borxhin. Zoti Leontjev Çuçi në tavolinë në krah të presidentit shqiptar e ka pranuar borxhin, kur është ngritur ky problem nga organizatorët. Kja është ajo ça i takon borxhit dhe Shqipëria në mënyrë urgjente duhet të shlyej këtë dhe më duket një faturë tjetër, nuk jam i sigurt për këtë, por ne po investigojmë lidhur dhe me disa para të mbetura borxh edhe nga ekspozita e Lisbonës në Shtator 1998. Ky problem nuk është një problem që i takon thjesht Fatos Nanos, Fatos Nano ka qenë atje si kryeministër i Shqipërisë dhe askush nuk mund të mendoj që kryeministri do të shkojë në recepsion për të paguar faturat, natyrisht ka disa struktura, që merren me përgatitjen e udhëtimit të kryeministrit, ka disa struktura që firmosin sa ai duhet të paguajë dhe shteti shqiptar nuk fillon dhe mbaron me Fatos Nanon, në qoftë se Fatos Nano u largua nga kryeministri i Shqipërisë pa e shlyer këtë borxh, zoti Majko që erdhi pas tij duhet ta shlyente borxhin në mënyrë absolute, sepse ky nuk ishte një borxh personal i kryeministrit, ishte një borxh i qeverisë shqiptare, në rast se zoti Nano ka abuzuar dhe ka shkelur ligjin, sepse e ka të parashikuar ligji se sa do të jenë shpenzimet e kryeministrit atëherë zoti Majko duhet ta bënte publike këtë dhe të thoshte, ky borxh është i ekzagjeruar, ky borxh nuk përligjet nga ana juridike, prandaj ne do të paguajmë aq sa përligjet, pjesën tjetër ta paguaj zoti Nano apo nuk e di…”/tvklan.al

Gazetare: Mirela Milori