Një emigrant nga fshati Gështenjas i Pogradecit është vrarë mbrëmjen e djeshme pranë shtëpisë së tij në Pogradec. Viktima e quajtur Fatos Shyti 37 vjeç është qëlluar me dy plumba në kokë gjatë kohës që ishte duke u kthyer për në banesë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme dhe sipas policisë shkak i vrasjes mendohet të jetë një çështje pronësie apo larje hesapesh. 37-vjeçari punonte prej vitesh si emigrant në Itali.

Një 35 vjeçar nga Berati është ekzekutuar me armë zjarri në një lokal në qendër të qytetit. Gentian Mejdani babai i 7 fëmijëve është qëlluar nga shtetasit Elton dhe Zenel Hoxhallari pas një zënke banale. Grindja mes tyre ka ndodhur pasi personat kishin konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli . Dy autorët e krimit janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht janë në kërkim nga policia.

Një ngjarje e pazakontë ka tronditur gjatë mesditës fshatin Tale të Lezhës, një 50-vjeçar ka terrorizuar bashkëfshatarët e tij duke qëlluar në mënyrë të pa kontrolluar me armë automatike. Ngjarja ka ndodhur pasi shtetasi Nosh Muçi ka kërkuar para dhe ushqim në një  prej familjeve të fshatit. Policia ka reaguar menjëherë duke bërë ndalimin e tij dhe shoqërimin në komisariatin e Lezhës. Sipas policisë 50-vjeçari vuante nga problemet mendore./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani