Në konferencën për të drejtën e Informimit, kryeministri Edi Rama, propozoi ngritjen e një Bordi Kombëtar, që do të ketë për qëllim vendosjen në dispozicion të çdo informacioni për qytetarët, përveç atyre që konsiderohen sekret hetimor.

Ky bord, do të ketë përfaqësues nga qeveria, pushteti vendor, Komisioneri për të drejtën e Informimit dhe Avokati i Popullit.

“Trajtimi i informacionit që i takon publikut, i takon medias, të gjithë të interesuarve si e drejtë e sanksionuar me ligj ndërkohë që trajtohet si një pushtet i ushtruar abuzivisht mbi të gjitha ata që përmenda është një shtysë për të krijuar shumë mister, thashetheme, helm mbi faktet dhe për tu dhënë mundësi lloj lloj spekullimeve kur faktet janë ata që janë.”

Rama kërkoi ndëshkimin ligjor për ata që nxjerrjen e sekretit hetimor. Kreu i qeverisë tha se sekretet hetimore, nuk i nxjerrin gazetarët, por prokurorët.

“Ka ndodhur në një moment të caktuar në mos gabohem në kohën e pandemisë kur prokuroria ju vu mbrapa ca gazetareve dhe për mua gazetarët nuk nxjerrin sekrete hetimore se ata nuk i disponojnë sekretet hetimore. Sekretet hetimore i disponojnë prokurorët dhe kur gazetarëve ju bije në dorë një sekret hetimore nuk është më detyrim i tij ruajtja e sekretit dhe nuk shkon drejt tij hetimi, por drejt atyre që ja dhanë atij. Kjo është elementare.”

Sipas Ramës Shqipëria ishte e 86 në klasifikim deri në vitin 2014, kur u ndryshua baza ligjore ndërsa tani është në vendin e 7 sa i përket legjislacionit që e garanton të drejtën e informimit.

Klan News