Është kthyer në një skëterrë të vërtetë jeta e 800 banorëve të një lagjeje në periferi të Elbasanit. U ngulën në Bradashesh të vitit 1992 dhe që nga ajo kohë jetojnë të ngjeshur me njëri tjetrin si mos më keq.

Ka nga ata që banojnë 8-10 persona në një dhomë, ose më e keqja 3 deri në 4 kurora në një shtëpi dhomë e kuzhinë. Për shkak të mbipopullimit të këtyre banesave të vogla shumë prej fëmijëve flenë përtokë.

Varfëria u ka shkuar deri në palcë këtyre banorëve. Ata janë zbathur, të pakrehur, të papunë të uritur dhe analfabet. Asistenca që marrin nga shteti nuk u është llogaritur si qytetarë, por si fshatarë edhe pse nuk kanë asnjë pëllëmbë tokë në përdorim. Jetojnë si të mundin, si mos më keq aq sa 150 kryefamiljarët e këtij fshati burra e gra dhurojnë gjak një herë në dy muaj për të rritur fëmijët e uritur.

Një dramë tjetër e këtij fshati është edhe analfabetizmi. Fëmijët nuk shkojnë në shkollë por punojnë si lypsa në qytetin e Elbasanit apo në qytete të tjera. në këtë lagje numërohen dhjetëra raste të trafikimit të fëmijëve në Itali dhe në Greqi.

Të zhytur në errësirë dhe skamje të plotë banorët e “getos” me emrin Bradashesh presin ndihmën e shtetit./tvklan.al