Sejko: Objektivi i Bankës së Shqipërisë, stabiliteti financiar

Ekonomia shqiptare pritet të përballe me nje rritje të mëtejshme të inflacionit në muajt e ardhshëm. Guvernatori I Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se sfidë mbetet rritja e çmimeve ndërkombëtare të energjisë dhe produkteve bazë. Për të menaxhuar situatën Sejko theksoi se do të vijoje politika e rritjes së normave të interesit.

“Në rrethanat aktuale e vetmja përgjigje që mund të japë Banka Qendrore është të ndjekë një politikë të rritjes së normës bazë të interesit duke forcuar kështu angazhimin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Ky kurs veprimi do të krijojë kushtet e nevojshme monetare për të kontrolluar inflacionin dhe pritjet për të si dhe do ta ndihmojë inflacionin të kthehet në objektiv brenda një horizonti kohor të arsyeshëm”, ka thënë Sejko.

Rritja e shpejtë e normave të interesit nuk do ta çojë ekonominë shqiptare në recesion sipas Guvernatorit Sejko.

“Më e rëndësishmja është se projeksionet tona të cilat përfitojnë nga të njëjtat modele dhe analizat e kërkimit ekonomik, sugjerojnë se raundi aktual i rritjes së normës bazë të interesit nuk do ta çojë ekonominë tonë në recesion. Ekonomia shqiptare do vijojë të rritet në horizontin kohor afatmesëm”, është shprehur guvernatori i Bankës Sejko. 

Sipas të dhënave të INSTAT gjatë muajit Tetor, inflacioni arriti në nivelin 8.3% më i larti i regjistruar gjatë viteve të fundit në vend.

Klan News