Kreu i komitetit të mbikëqyrjes në kongresin amerikan Henry Waxman, pranon kërkesën e ambasadorit amerikan në Tiranë për t’u takuar. Waxman i ka dërguar ambasadorit Withers një letër ku ai shprehet i gatshëm për të sqaruar gjithçka në lidhje me takimin e përfolur të 19 nëntorit të vitit të shkuar, i cili me sa duket do të jetë çelësi i skandalit të trafikut të armëve.

Në letër ai bën të ditur se Withers mund të paraqitet vullnetarisht kurdo për të dhënë dëshmi në komisionin hetimor të  kongresit amerikan. Sipas kreut të komitetit të mbikëqyrjes në kongres, mungesa e bashkëpunimit me departamentin amerikan të shtetit ka penguar procesin e hetimit.

Më tej në letër Waxman thekson se komisioni nuk ka marrë asnjëherë në dorëzim dokumentat që ka kërkuar për thellimin e hetimit. Si dhe nuk është bërë i mundur intervistomi i disa prej zyrtarëve të lartë të ambasadës amerikane në Tiranë.

Vetëm dy ditë më parë ambasadori Withers i kërkoi me anë të një letre kongresmenit Waxman takim kokë më kokë. Duke cilësuar akuzat për përfshirje në aferën e kompanisë AEY si të gabuara. Ashtu sikurse dhe në intervistën dhënë për Los Angelos Times, John Withers ka pranuar se ra dakord të takohej në orët e vona me ish-ministrin Mediu pasi mendo se do të flitej për çështjen si terrorizmi./tvklan.al

Gazetare: Justina Ukaliaj