Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Çështja e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit është bërë mollë sherri ndërmjet institucioneve. Emrat që qarkullojnë janë nga opozita por nuk propozohen prej saj, pasi këtë të drejtë e ka Presidenti i Republikës Alfred Moisiu.

Në grupin parlamentar të PS, është përmendur reformatori Mark Rroqi, si kandidaturë e mundshme për kreun e KLSH, çka solli dhe reagime të presidencës, se nuk imponohet nga forcat politike, e po kështu nga PD, të cilën e ka cilësuar këtë lojë, opozitë e emëruar. Partia Demokratike nuk shprehet për asnjë kandidaturë, siç komentohet nga sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode. 

Ridvan Bode: “Partia Demokratike nuk shprehet për asnjë kandidaturë të sajuar, qoftë me pretendimet se i përkasin opozitës, qoftë me zgjidhje personale që mund të bëjë Presidenti i Republikës apo kryeministri Nano, në mirëkuptim me njëri-tjetrin. Në qoftë se Presidenti i Republikës kërkonte konsultime me PD, Partia Demokratike ka kandidatura për të ofruar për këtë post, që po ashtu është një institucion i pavarur.”

Ndërsa nënkryetari i PDr Tritan Shehu, nuk është në është në dijeni se kush e ka propozuar emrin e Mark Rroqit, për drejtimin e KLSH.

Tritan Shehu: “Deri më sot ne s’kemi pas asnjë kërkesë të tillë, kështu që realisht ne nuk kemi bërë asnjë propozim, apo nuk kemi dhënë asnjë mendim në lidhje me atë vend të rëndësishëm.”/tvklan.al