Pepara se të vendosë për rritjen ose jo të pragut elektoral Partia Demokratike do të marrë një vendim politik për ndryshimin e kushtetutës. Bëhet fjalë për çështjen delikate të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të cilën konsensusi mes partive të mëdha duket se është shumë larg. Sekretari i marrëdhënieve me publikun Spartak Ngjela pohon se vëmendja e Partisë Demokratike është përqëndruar në sistemin zgjedhor.

Spartak Ngjela: “Duhet prekur domosdoshmërisht kushtetuta. Atëherë, pyetja që lind këtu është kushtetuta do të preket vetëm për pragun? Të gjitha ndreqjet janë kushtetuese, edhe balancimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është kushtetuese. Pra, siç duket, kushtetuta do të fillojë të preket në disa aspekte, por me këtë rast do të thoja që e vetmja gjë që garanton zgjedhjet e lira është balancimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në qoftë se komisioni nuk balancohet zgjedhjet janë normë në manipulimin e tyre.”

Por zoti Ngjela do të mbrojë edhe variantin e rritjes së pragut elektoral. Sipas tij, një sistem dypartiak është më afër demokracisë perëndimore, por Partia Demokratike ende s’ka marrë një vendim.

Spartak Ngjela: “Pragu e forcon sistemin, ngritja e nivelit forcon sistemin. Atëhere vjen fjala, cili është sistemi? Sistemi bipartiak, dypartish. Të gjitha krizat në perëndim kanë ardhur në momentet që është prishur balanca dypartiake në spektrin elektoral, por Shqipëria ka ecur në tjetër rrugë. Nuk e dimë se si do të shkojë. Është mendim politik.”

Gazetarja: “Kemi frikë mos humbim aleatët apo…?”

Spartak Ngjela: “Jo, neve kam përshtypjen që mendojmë më shumë për sistemin.”

Sistemi aktual zgjedhor shqiptar quhet miks pasi veprohet mbi proporcionalin e mazhoritarin, por duket se rritja e pragut forcon sistemin dypartiak e lë jashtë partitë e vogla. /tvklan.al