Të paktën nëntë persona janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur, pasi një sulm izraelit goditi një ndërtesë banimi në qytetin Nabatie, në jug të Libanit, tha agjencia shtetërore e lajmeve, NNA më 17 Gusht.

Ushtria izraelite tha se sulmi shënjestroi një depo armësh që përdorej nga luftëtarët e Hezbollahut, grupit libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Tensionet janë rritur javëve të fundit në rajonin e Lindjes së Mesme, pasi një sulm me raketa, për të cilin u fajësua Hezbollahu, la të vrarë 12 të rinj në Lartësitë e Golanit, të pushtuara nga Izraeli. Izraeli u kundërpërgjigj duke vrarë një komandant të lartë të Hezbollahut gjatë një sulmi në periferi të Bejrutit.

Hezbollahu është zotuar se do t’i hakmerret Izraelit edhe për vrasjen në Iran të Ismail Haniyeh, shefit politik të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Hezbollahu dhe Izraeli shkëmbejnë zjarr në kufi pothuajse në baza ditore që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 Tetor mes Izraelit dhe Hamasit.

Si pasojë e dhunës ndërkufitare, në Liban janë vrarë 579 persona, shumica luftëtarë të Hezbollahut, por edhe të paktën 121 civilë, sipas të dhënave të agjencisë AFP. Ndërkaq, në Izrael, përfshirë në Lartësitë e Golanit, janë vrarë 22 ushtarë dhe 26 civilë, sipas të dhënave të ushtrisë./REL