Irani mund të godasë me raketa Tel Avivin, si pjesë e sulmit hakmarrës ndaj Izraelit për vrasjen e liderit të Hamasit Ismail Hanije më 31 Korrik në mes të Teheranit. Mediat ndërkombëtare citojnë agjencitë iraniane të lajmeve që shkruajnë se mes objektivave që mund të goditen nga sulmi iranian është edhe selia e Mosadit në Tel Aviv, ndërtesa të ndryshme qeveritare apo edhe baza të rëndësishme ushtarake në gjithë vendin.

Këshilltari kryesor për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë Xhon Kërbi njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë konstatuar lëvizje të mëdha të ushtrisë iraniane brenda territorit, çka sipas tij tregon se sulmi i Iranit ndaj Izraelit, me shumë gjasa mund të ndodhë brenda kësaj jave.

Presidenti amerikan Xho Bajden tha se Irani mund të heqë dorë nga sulmi ndaj Izraelit, nëse arrihet marrëveshja me Hamasin për armëpushim në Rripin e Gazës. Administrata Bajden miratoi një ndihmë të re prej 20 miliardë dollarësh për ushtrinë izraelite.

Ndërkaq, zyrtarët e ushtrisë izraelite paralajmërojnë se një sulm i ashpër i Hezbollahut si aleat i Iranit, mund të detyrojë ushtrinë izraelite të hapë një luftë të re kundër tyre në Liban.

Tv Klan